Punëtoritë me Klubet e Karrierës për zhvillimin e planeve të punës

Data e Publikimit 23.11.2021

Gjatë muajit tetor, Programi i USAID-it, “Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt” - ASSET, ka organizuar punëtoritë për Klubet e Karrierës me 16 gjimnaze partnere të Programit dhe ka ofruar mbështetje profesionale në përpilimin e planeve të punës.

Përmes këtyre punëtorive, të cilat mbahen një herë në fillim të vitit akademik, është diskutuar me nxënësit dhe mentorët për rolet e anëtarëve të klubeve, objektivat dhe aktivitetet përgjatë vitit shkollor 2021/22. Caktimi i objektivave nga secili klub do t’ju ndihmojë atyre që të zhvillojnë dhe zbatojnë planin e tyre të punës.

Planet të cilat u përpiluan për këtë vit akademik kanë për qëllim:
o Zhvillimin e shkathtësive menaxhuese të vetë klubit;
o Organizimin e aktiviteteve për ngritjen e shkathtësive;
o Informimin për mundësitë për karrierë për nxënësit e shkollës;
o Komunikimin dhe lidhjen e marrëveshjeve me biznese;
o Ndërmjetësimin e punës praktike dhe vullnetare për nxënësit e shkollës.

Diskutimi me Klubin e Karrierës në Gjimnazin “Xhavit Ahmeti”, Gjilan - Tetor, 2021

Secili klub udhëhiqet nga një mentor/e, të cilët janë kryesisht mësimdhënës nga fusha ‘jeta dhe puna’ të trajnuar në kursin “Orientim dhe Këshillim në Karrierë”. Anëtarë të klubit janë nxënësit e shkollave të cilët kontribuojnë në mënyrë vullnetare në detyrat e klubit si dhe çdo vit angazhojnë nxënës të rinj. Edhe këtë vit, Klubet e Karrierës kanë hapur thirrjet për anëtarët e rinj nga shkolla. Programi do të vazhdojë me aktivitet përcjellëse edhe gjatë semesrit të dytë të vitit akademik për t’u siguruar që puna e secilit klub ka ecuri të mirëfilltë.

Diskutim me nxënësit nga gjimnazet partnere - Tetor 2021

Nga janari i vitit 2019, Programi ka qenë në proces të themelimit të këndëve të karrierës në 16 komuna të Kosovës, respektivisht në 16 gjimnazet partnere.

*** Programi “Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt” financohet nga USAID dhe zbatohet nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me FHI360 dhe Crimson Capital Corp.